Përplasen dy mjete, tre të plagosur luftojnë për jetën në spital

Fushë-Krujë, 18 Korrik 2025, Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mesditën e sotme në hyrje të qytetit të Fushë-Krujës, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të plagosur tre persona.

Sipas burimeve paraprake, shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një parakalim i gabuar i shoqëruar me shpejtësi tej normave të lejuara. Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Mercedes” dhe një “Audi”, të cilët janë përplasur frontalish në një prej kthesave hyrëse të qytetit.

Tre personat e plagosur janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhen nën kujdes intensiv mjekësor. Mësohet se të tre ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ekipet mjekësore po bëjnë përpjekje për stabilizimin e tyre.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Qarkullimi në zonë është vështirësuar për disa minuta, por aktualisht është normalizuar.