Gramsh, 23 Tetor 2025
Ka përfunduar vlerësimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga zjarri katastrofik që përfshiu zonën e Gramshit më 11 gusht, duke lënë pas një bilanc dramatik në banesa, tokë bujqësore dhe ekonomi lokale.
Sipas të dhënave zyrtare, fatura e dëmeve arrin në rreth 31 milionë euro. Raporti i detajuar i është dërguar tashmë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të nisë procedurat për ndërhyrje dhe kompensim.
Zjarri, që përfshiu disa fshatra për disa ditë me radhë, shkaktoi shkatërrimin e dhjetëra banesave dhe humbjen e një jete njerëzore. Nga verifikimet në terren, rezulton se 68 banesa janë dëmtuar, prej të cilave 10 janë djegur plotësisht dhe 42 pjesërisht. Bashkia e Gramshit ka nisur tashmë hartimin e projekteve për rindërtimin dhe rikonstruksionin e tyre.
Në bilanc përfshihen edhe dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe blegtori: janë djegur 215 krerë bagëti të imta, 9 gjedhë dhe 7 njëthundrakë, si dhe dhjetëra hektarë ullinj, vreshta, bimë medicinale e pemë frutore.
Pas miratimit të fondeve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, pritet të nisin ndërhyrjet për rehabilitimin e zonave të prekura dhe kthimin e jetës në normalitet në këtë rajon të goditur rëndë nga flakët.
