Përfshihet nga flakët pylli në Bulçar të Gramshit. Zjarrfikëse dhe helikopterë në vendngjarje

Një vatër e re zjarri në Gramsh. Mësohet se një zjarr i fuqishëm që pasdite po djeg pyjet me pisha në fshatin Bulçar të Gramshit, duke djegur dhjetëra hektarë sipërfaqe pyjore.

Për shuarjen e flakëve janë angazhuar dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në terren po punojnë zjarrfikësit e Gramshit dhe punonjës të bashkisë.

Pavarësisht përpjekjeve intensive, situata mbetet problematike për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, që e bëjnë fikjen e zjarrit të ngadaltë dhe të rrezikshme.

Autoritetet u bëjnë apel banorëve të zonës të shmangin lëvizjet pranë vatrës së zjarrit dhe të ndihmojnë duke raportuar çdo zhvillim të ri.