Humoristi dhe parodisti i njohur vlonjat, Mane Lumani, është përcjellë për në banesën e fundit. Mjeshtri i madh dhe Qytetari i Nderit i Vlorës, u nda nga jeta një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë.
Homazhet në nder të tij u zhvilluan në ambientet e Teatri Petro Marko, ku të afërm, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë vendosën buqeta me lule dhe bënë nderimet e fundit për artistin.
Mes lotësh, kolegët dhe bashkudhëtaret e tij në skenë, Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, shprehën ngushëllimet për familjen Lumani, duke theksuar se me ndarjen e tij nga jeta largohet një tjeter nga katër parodistët simbol të Vlorës.
Edhe aktori i njohur Bujar Asqeriu u shpreh se arti shqiptar humbi një prej figurave të tij më përfaqësuese.
“U largua nga kjo jetë një prej simboleve të artit, jo vetëm vlonjat por edhe kombëtar. Një embleme e historisë së humorit shqiptar,” – tha ai.
Ndërkohë, drejtori i Teatri Petro Marko, Artur Dhamo, e cilësoi ndarjen nga jeta të Lumanit si një humbje të madhe për artin dhe parodinë shqiptare.
Mane Lumani do të kujtohet si një nga figurat më të dashura të humorit vlonjat, një artist që për dekada me radhë solli buzëqeshje dhe duartrokitje për publikun, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e parodisë shqiptare.













