Për të gjashtën natë radhazi, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të dhënë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke kërkuar drejtësi dhe duke përsëritur mbështetjen e tyre për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Në tubim është parë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka qëndruar pranë Endrit Thaçit. Protesta është zhvilluar pa incidente, ndërsa pjesëmarrësit kanë vijuar me thirrjet kundër aktgjykimit të Speciales dhe kanë kërkuar vazhdimin e reagimeve qytetare.
Gjatë protestës ka folur edhe një prej organizatorëve, Çlirim Haziri, i cili iu referua nismës së Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas Hazirit, përmes kësaj nisme synohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë, si dhe vendosja e një mekanizmi ndërkombëtar për monitorimin e punës së saj. Ai theksoi se kjo çështje nuk duhet të shihet si një nismë që i përket vetëm një force politike, por si një çështje që prek të gjithë.
Nismën e PDK-së e ka mbështetur edhe Aleanca, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pas kontestimit të bërë nga PDK-ja, përpara se ta trajtojë çështjen në aspektin juridik.
Protesta vijon në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa qytetarët kanë bërë thirrje për vazhdimin e qëndresës dhe mbështetjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.




