Pas 10 vjetësh parlamenti miraton projektligjin për rikthimin e gjuetisë

Pas një dekade ndalimi, në Shqipëri do të lejohet gjuetia pasi parlamenti miratoi me 80 vota pro projektligjin e ri “Për gjuetinë”, i cili parashikon lejimin e këtij aktiviteti në zona të caktuara, ndërsa moratoriumi kishte përfunduar në gusht të këtij viti.

Gjuetarë do të jenë si fillim vetëm shtetasit shqiptarë, ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që kanë armë me leje dhe që janë të pajisur me leje gjuetie.

Sipas relacionit të projektligjit, statusi i zonës së gjuetisë do të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, nevoja të zhvillimit rural, kur ka keqpërdorim dhe kur nuk zbatohet kontrata me qiramarrësin.

Baza e re ligjore parashikon se në rastet kur në zona të ndaluara gjuhen kafshë që nuk janë pjesë e listës apo kur mungon leja e gjuetisë, gjobat janë të majme dhe variojnë nga 500 mijë lekë në 1 milion e 300 mijë lekë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik draftin e ri ligjor, i cili përcakton se të drejtën për të qenë gjuetar fillimisht do ta kenë vetëm shtetasit shqiptarë mbi 25 vjeç, të pajisur me armë me leje dhe me leje të posaçme gjuetie.

Sipas relacionit të projektligjit, statusi i zonës së gjuetisë mund të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, kërkesave për zhvillim rural, rasteve të keqpërdorimit ose mosrespektimit të kontratës nga qiramarrësi.

Deputeti i PS, Erion Braçe kundërshtoi ashpër projektligjin për gjuetinë ndërsa kritikoi përkufizimin e kurtheve për të kapur kafshët.

Braçe ngriti shqetësimin edhe për distancat e sigurisë, duke thënë se 300 metra larg shkollave apo zonave të banuara nuk mjafton, sidomos kur gjuetarët mund të mos kenë përvojën e duhur.

Kritika pati edhe për moshën minimale të gjuetarëve, që propozohet të jetë 25 vjeç.

“Imagjinoni një shpend që kapet në këtë mënyrë me kurth, kush është kafsha këtu? Si mund të jetë gjuetia ‘estetike’? Si mund të quhen ‘produkte estetike’ ato që vijnë nga gjuetia? Si mund të jetë estetik një shpend i qëlluar, i gjakosur? Si mund të quhen kështu? Po shkoj më tej: në përkufizime thuhet që zonat e gjuetisë të mos përfshijnë qendra ekonomike, sportive dhe fetare dhe të jenë 300 metra larg tyre. Po të jetë një gjuetar pa nishan, e kuptoni çfarë mund të ndodhë 300 metra larg një shkolle? Për zonat e mbrojtura, distanca është vetëm 200 metra. Kjo nuk garanton asgjë. Gjuetar konsiderohet personi fizik, shtetas shqiptar ose i huaj, që ka mbushur moshën 25 vjeç. Këta 25-vjeçarët i keni në poligone duke bërë qitje, duke u stërvitur për të qëlluar në shenjë, dhe tani u jepni pushkë për t’u stërvitur me shënjestra të gjalla, që janë kafshët. Kjo mosha 25-vjeç nuk vlen më, s’mund të bëhet gjuetar në atë moshë, se nesër e ke kontingjent krimi”, tha ai.