Elbasan, 24 shtator 2026 – Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” e nis vitin akademik 2026–2027 me një orientim të ri strategjik, që synon ta lidhë më drejtpërdrejt studentin me profesionin, përmes praktikës, mentorimit, projekteve reale, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit me institucionet e tregut të punës.
Në qendër të kësaj qasjeje është “Paktti UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, një angazhim që synon të zgjerojë marrëdhënien mes universitetit dhe botës profesionale, duke i krijuar studentëve më shumë mundësi për ta njohur dhe provuar profesionin që gjatë viteve të studimit.
Rektorja e Universitetit të Elbasanit, prof. dr. Elvira Fetahu, e konsideron këtë një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të institucionit për vitin e ri akademik.
“Duam që studentët të mos e takojnë profesionin vetëm pasi të diplomohen. Ata duhet të fillojnë ta njohin, ta provojnë dhe të krijojnë lidhjet e tyre me të që gjatë universitetit. Po kalojmë nga modeli klasik universitet-auditor drejt një universiteti të hapur, ku universiteti, biznesi, institucionet dhe komuniteti punojnë së bashku”, shprehet prof. dr. Fetahu.
Sipas saj, partneriteti nuk kufizohet vetëm te biznesi, por përshtatet me natyrën e çdo programi studimi. Për studentët e mësuesisë, partnerë janë shkollat; për infermierinë, spitalet; për teknologjinë e informacionit, kompanitë dhe laboratorët; për ekonominë, bizneset, bankat dhe institucionet, ndërsa për shkencat humane dhe sociale, institucionet dhe komuniteti.
Kjo qasje lidhet edhe me një prej sfidave kryesore të arsimit të lartë: kalimin nga përgatitja akademike drejt kompetencave konkrete profesionale.
“Universiteti duhet t’i japë studentit dije, por sot kjo nuk mjafton. Duhet t’i japë edhe eksperiencë, kompetenca dhe mundësinë për ta provuar profesionin përpara se të marrë diplomën”, thekson rektorja.
Regjistrimet, pesë programet më të kërkuara
Raundi i parë i regjistrimeve për vitin akademik 2026–2027 është mbyllur me një interes të qëndrueshëm për programet e studimit të Universitetit të Elbasanit.
Pesë programet më të preferuara nga studentët janë Infermieria e Përgjithshme, Edukimi Fizik dhe Sportet, Financë-Kontabilitet, Teknologjitë e Informacionit dhe Informatika Ekonomike.
Preferencat dëshmojnë një orientim të studentëve drejt fushave të shëndetësisë, sportit, ekonomisë dhe teknologjisë, ndërsa programet profesionale dyvjeçare vijojnë të përbëjnë një alternativë për të rinjtë që synojnë një formim më të orientuar drejt praktikës dhe integrimit më të shpejtë në tregun e punës.
Mes programeve dyvjeçare që kanë tërhequr interes janë Teknik Mjedisi, Edukator 0–3 vjeç dhe Sekretari i Specializuar.
Mësuesia, nga tradita drejt profesionit të së ardhmes
Një tjetër sfidë për universitetin mbetet rënia e preferencës për programet e mësuesisë, krahasuar me degë si infermieria, teknologjia e informacionit apo financa.
Rektorja Fetahu e sheh këtë si një sinjal që kërkon ndryshim edhe nga vetë universiteti.
“Mësuesi mbetet një nga profesionet më të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Por universitetet nuk duhet t’i përgjigjen kësaj sfide thjesht duke pritur më shumë aplikantë. Duhet të ndryshojmë edhe ne”, shprehet ajo.
Në këtë kuadër, fakulteteve u është kërkuar rishikimi i ofertës akademike dhe zhvillimi i profileve të reja në edukim, të lidhura me Inteligjencën Artificiale dhe teknologjinë në mësimdhënie, edukimin gjithëpërfshirës, STEM-in, këshillimin dhe lidershipin në arsim.
Synimi është që universiteti të mos jetë vetëm institucioni ku përgatitet mësuesi i ri, por edhe një qendër ku mësuesit rikthehen gjatë karrierës për kualifikim, përditësim dhe specializim.
“Elbasani ka një traditë të madhe në formimin e mësuesve. Ne nuk duam vetëm ta ruajmë këtë traditë; duam ta transformojmë atë për shkollën e së ardhmes”, thotë Fetahu.
Në këtë drejtim, këtë vit Universiteti i Elbasanit organizoi për herë të parë edhe Shkollën Verore për mësuesit e diasporës, si pjesë e një qasjeje që synon të zgjerojë rolin e universitetit në zhvillimin profesional të komunitetit arsimor.
Ndërkombëtarizimi dhe kërkimi shkencor
Krahas orientimit drejt tregut të punës, ndërkombëtarizimi mbetet një tjetër prioritet strategjik i UNIEL.
Universiteti ka zgjeruar anëtarësimin në rrjete universitare rajonale dhe evropiane, ndërsa në vitin 2028 Rektorja e Universitetit të Elbasanit pritet të marrë drejtimin e Balkan Universities Association (BUA), rrjet që përfshin 120 universitete.
Universiteti është bërë gjithashtu pjesë e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, ndërsa bashkëpunimet ndërinstitucionale janë zgjeruar përmes marrëveshjeve të reja.
Në kuadër të projekteve të financuara nga Komisioni Evropian, UNIEL aktualisht po zbaton 17 projekte ndërkombëtare. Në nivel kombëtar, stafi akademik dhe doktorantët janë përfshirë këtë vit në nëntë projekte kërkimore të financuara nga AKKSHI dhe Ministria e Arsimit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është financimi i drejtpërdrejtë nga universiteti i projekteve të propozuara nga personeli akademik, përmes të ardhurave të krijuara nga kërkimi shkencor dhe me përfshirjen e studentëve.
“Duam që universiteti të mos jetë vetëm vendi ku transmetohet dije, por edhe vendi ku prodhohet dije”, nënvizon rektorja.
Faza e dytë e aplikimeve
Në prag të fazës së dytë të aplikimeve, mesazhi i Universitetit të Elbasanit për maturantët është që zgjedhja e degës të mos shihet vetëm si zgjedhje e një programi studimi, por si hapi i parë drejt një profesioni.
“Maturantët nuk duhet të zgjedhin thjesht një degë studimi, por të mendojnë për profesionin dhe të ardhmen që duan të ndërtojnë”, shprehet prof. dr. Elvira Fetahu.
Pikërisht këtu vendoset edhe thelbi i orientimit të ri të UNIEL: shkurtimi i distancës mes auditorit dhe profesionit përmes praktikës, laboratorëve, teknologjisë, kërkimit shkencor, partneriteteve institucionale dhe eksperiencave ndërkombëtare.
“Ky është orientimi ynë për vitin akademik 2026–2027: nga auditori te profesioni dhe nga diploma te kompetenca”, përfundon rektorja e Universitetit të Elbasanit.




