OPINION/Mosmirënjohja, si prologu i një dështimi të garantuar

Opinion nga Artur Zekthi
 Këto ditë merkatoje verore ekipi më mediatik mbetet A.F.Elbasani i ngjitur rishtazi në kategorinë e parë këtë edicion.Numri i lojtarëve të ofruar në këtë periudhë mbetet relativisht i lartë tregues ky i një bumi prurjesh të trainerit DEDE si edhe tregues i një dështimi total të politikave sportive të klubit me futbollistët që triumfuan për dy sezone radhazi në kategorinë e tretë dhe të dytë. Duket se euforizmi i ngjitjes në kategorinë e parë ka errësuar çdo arsye dhe logjikë sportive e financiare të drejtuesve të Akademisë së Futbollit Elbasani në afrimet dhe largimet e futbollistëve nga ekipi kampion i kategorisë së II – të. Vërtet ky klub paska triumfuar për dy sezone rresht në konkurrimet kombëtare me futbollistë nënmesatarë që mbeten të pa vlefshëm për edicionin pas ardhës 2023 – 2024? Mbi çfarë kriteresh u përzgjodhën futbollistët e ardhur rishtas, shumica e të cilëve nga një klub që dështoi në kategorinë superiore? A do të mundet kush nesër të përgjigjet moralisht e ligjërisht për atë çka sot thuhet nën zë se kontratat financiare fiktive do përbëjnë argumentin bazë të aksioneve të supozuara të blera nga kompani profesionale në menaxhimin e basteve sportive? A do heshtë këshilli bashkiak në këtë aferë ku mungon plan biznesi zhvillues, asetet fizike dhe ato financiare që aksionarët duhet të derdhin për klubin? A do munden dikur përfaqësuesit ligjor të parasë publike të justifikojnë dështimet teknike dhe ato financiare pa u hyrë gjemb në këmbë? Dhe moralisht do të mbajnë dot përgjegjësi para opinionit sportiv të qytetit për mosmirënjohja e treguar ndaj atyre futbollistëve elbasanas që mundësuan ngjitjen në kategorinë e parë? Pse kaq pak dinjitet e personalitet një klub që shpresonte shumë? I mbetet detyrë opinionit sportiv, shoqatës së tifozëve, personaliteteve të futbollit elbasanas dhe opozitës në këshillin bashkiak që të mos lejojë që ky aset publik të keqpërdoret nga interesa të vogla individuale të njerëzve me dhe pa pushtet politik e administrativ.