Nxënësja e shkollës private denoncon shoferin e furgonit të transportit për ngacmim se*ksual, arrestohet nga policia!

Policia e Lushnjës ka ndaluar një person pas kallëzimit të bërë nga një e mitur për ngacmim seksual.

I arrestuari është Thoma Kovaçi, drejtues i një mjeti transporti të një shkollë jopublike. Mësohet se edhe vajza frekuentonte shkollën private, ku shtetasi në fjalë ishte i punësuar si drejtues furgoni.

Deri më tani, nuk kemi detaje të mëtejshme, por nga burime mësohet se arrestimi i kryer mbrëmjen e 31 marsit ka ardhur si pasojë e denoncimit të familjarëve të vajzës së mitur.

Gjithashtu mësohet se familjarët kanë ndërmarrë kallëzimin pasi e mitura u ka treguar për ngacmimin që i ka bërë drejtuesi i mjetit, që e merrte nga banesa dhe e çonte në shkollë dhe anasjelltas.

Mësohet se e mitura është pyetur në praninë e një psikologeje për të dhënë versionin e saj, që ka çuar në ndalimin e drejtuesit të furgonit të shkollës jo publike.

Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga policia e shtetit për këtë rast, por mësohet se grupi i punës po punon për të zbardhur këtë rast duke verifikuar detajet dhe vërtetësinë e deklaratave të të miturës.