Regjistrimi në e-albania nuk e ka zgjidhur çështjen e juridiksionit në territorin e bashkisë Elbasan. Ndërsa për kopshtet verifikimi i vendbanimit u centralizua, nuk ka ndodhur e njëjta gjë për shkollat. Kështu drejtoritë e shkollave pranuan nxënës të regjistruar në e-albania jasht juridiksionit duke mbipopulluar klasa në shkollat me numër të madh nxënësish, ndërkohë që disa shkolla janë lënë në mëshirë të fatit duke ia lënë rastësisë. Vështirësi hasin sidomos shkollat që kanë një përqindje të madhe të komuniteteve rome dhe egjiptiane si dhe shkollat me mungesë të theksuar investimesh. Kjo ka vënë në vështirësi stafin që do të duhet të rrudhet në shumicën e rasteve për shkak të kësaj situate. Shkollat me numër të madh nxënësish bëhen akoma më të mëdha edhe pse nuk kanë kapacitete, infrastrukturë dhe kushte të mira që nxënësit të zhvillojnë mësim normal dhe në standarte të mira.
Kjo situatë kërkon zgjidhje dhe i mbetet institucioneve drejtuese të ndërhyjnë që kriza në arsim të mos marrë përmasa të pakthyeshme.
