Një minator humbi jetën dhe tjetri u plagos, arrestohet administratori i minierës në Martanesh (EMRI)

BULQIZË- Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në një nga galeritë e kromit në Martanesh të Bulqizës, ku humbi jetën një minator dhe një tjetër u plaogs.

Policia bën me dije se lidhur me ngjarjen është arrestuar 38-vjeçari, Gentian Peshku, banues në Bulqizë, me detyra administrator dhe brigadier në minierën ku ndodhi ngjarja.

Dy minatorët me detyrë vagonist kanë qenë në frontin e punës në momentin që një masiv i madh gurësh është shembur dhe i ka zënë poshtë. Si pasojë ka humbur jetën 29-vjeçari Armand Peshku ndërsa 40-vjeçari Hajdar Bala është transportuar me helikopter për në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. I plagosuri sipas policisë vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

‘Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në një galeri kromi, në fshatin Thekën, Martanesh, ku gjatë procesit të punës, humbi jetën shtetasi A. P., 29 vjeç dhe u dëmtua rëndë shtetasi H. B., 40 vjeç, të dy vagonistë në këtë galeri, ju bëjmë me dije se:

Komisariati i Policisë Bulqizë arrestoi në flagrancë shtetasin G. P., 38 vjeç, banues në Bulqizë, me detyra administrator dhe brigadier në subjektin minerar.

Nga hetimet rezultoi se për shkak të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, brenda në galëri është shembur një masiv gurësh, i cili ka zënë këta 2 shtetas.

40-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, njofton policia.