Ngjarje e trishtë! Pa kaluar 24 orë nga vdekja e të atit, ndahet nga jeta nga ataku kardiak edhe i biri

TROPOJË- Një tragjedi e dyfishtë ka goditur komunitetin e Nikaj-Mërturit, ku familja Qokaj është përballur me humbjen e dy anëtarëve brenda vetëm një dite.

I pari që u nda nga jeta ishte 88-vjeçari Ndue Martin Qokaj. Lajmin për vdekjen e të atit e dha i biri, Besniku, i cili një ditë më parë kishte kërkuar publikimin e njoftimit mortor. Askush nuk e kishte menduar se brenda 24 orëve, të njëjtët njerëz do të duhej të njoftonin edhe vdekjen e tij, duke e kthyer dhimbjen e familjes Qokaj në një tragjedi të dyfishtë që ka tronditur mbarë komunitetin.

Besnik Qokaj humbi jetën papritur, dyshohet nga një arrest kardiak fatal, duke e zhytur familjen dhe komunitetin në pikëllim të thellë. Brenda pak orësh, dy prej shtyllave të shtëpisë u shuan, duke e lënë të mbuluar me zi derën e familjes Qokaj.

Në rrjetet sociale, administratorët e faqeve lokale kanë publikuar edhe momentin e fundit të komunikimit me Besnik Qokajn, i cili vetëm një ditë më parë u kishte kërkuar ndihmë për të shpërndarë lajmin e ndarjes nga jeta të babait të tij.

“Para një dite, mora një telefonatë nga Besnik Qokaj, i cili me zërin e tij të lodhur nga dhimbja më kërkoi të postoja në “Nikaj Mertur News” njoftimin e vdekjes së babait të tij, Ndue Martin Qokaj, 88 vjeç. Në atë moment, kisha përballë një djalë që po përpiqej të mbante veten, ndërsa po përballonte humbjen e një njeriu të shtrenjtë. Unë e dëgjova, e ngushëllova dhe mendova se kjo ishte dhimbja më e madhe që do t’i trokiste këto ditë në derë.

Por sot… më erdhi një lajm që më tronditi deri në palcë. Njoftimi i vdekjes ishte për vetë Besnikun. Vetëm një ditë pasi më telefonoi për të lajmëruar humbjen e babait, edhe ai vetë kishte ndërruar jetë, nga një arrest kardiak.
Një tragjedi e dyfishtë, e pashpjegueshme, e papërballueshme për këtë familje.

Është e vështirë të gjesh fjalë kur realiteti është kaq i rëndë. Të marrësh njoftimin për vdekjen e babait, dhe të nesërmen të marrësh lajmin për vdekjen e djalit që të telefonoi vetë… kjo është një plagë që vështirë dikush më kupton, duke e shtuar dhimbjen në një nivel që vetëm Zoti mund ta caktojë.

Dera e Qokajve sot është e mbuluar me zi. Të humbësh babë e bir, njëri pas tjetrit, është një dramë që rrallë e ka parë historia e fiseve tona në Nikaj-Mertur. Dhimbje që nuk ka fjalë, nuk ka varg, nuk ka ngushëllim që ta përshkruajë.

Besniku ishte njeri i mirë, i qetë dhe i sjellshëm. E kam në mendje telefonatën e tij të fundit, kërkesën e thjeshtë por të rëndë, që ta ndihmoja për t’i dhënë njoftim miqve dhe ilakeve për humbjen e të atit. Nuk e mendoja kurrë se pas një dite, do të më duhej të shkruaja edhe për të.

Zoti i pastë pranë vetes, bashkë me babanë që e deshi shumë.
Zoti e forcoftë familjen Qokaj në këtë tragjedi të rëndë.
Ngushëllime të sinqerta gjithë të afërmve, miqve dhe komunitetit tonë që sot është i pikëlluar thellë,” shkruan Nikaj Mërtur News.