Policia ka konfirmuar se vdekja e 78-vjeçarit në fshatin Bulgarec nuk është pasojë e shkaqeve natyrore, por një ngjarje kriminale. Sipas autoriteteve, viktima është goditur në kokë me mjete të forta, çka i ka shkaktuar vdekjen.
Të gjithë familjarët dhe të afërmit e 78-vjeçarit janë shoqëruar në komisariat, ku u janë marrë deklarime për konflikte të mundshme dhe situata të dyshimta brenda familjes.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia dhe prokuroria po përdorin metoda speciale hetimi. Hetimet përqendrohen në dy pista kryesore: vrasje gjatë një tentative vjedhjeje, edhe pse në banesë nuk janë konstatuar humbje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasje për motive të tjera.
Në vendngjarje prej mëngjesit ndodhet edhe drejtori i policisë Vilson Bala, shoqëruar nga zëvendësdrejtori i krimeve Elton Halili dhe shefi i komisariatit Faik Ruko, të cilët po kryejnë kontrollin e vendit të ngjarjes dhe po mbledhin çdo element që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit.
Hetimet vijojnë intensivisht për të përcaktuar dinamikën e vrasjes dhe për të kapur autorët e kësaj ngjarjeje tragjike.













