Në kujtim të 15-vjeçarit Erjon Boba – Të rinjtë e Bulqizës protestë paqësore dhe thirrje institucioneve për më shumë siguri

Bulqizë, 7 dhjetor 2025 – Disa të rinj në Bulqizë organizuan një protestë paqësore në nder të 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën pas plagosjes me thikë në Durrës. Me pankarta në duar dhe mesazhe sensibilizuese, ata kërkuan më shumë siguri dhe mbështetje psikologjike për nxënësit.

Protestuesit apeluan ndaj institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të qarta për parandalimin e konflikteve mes të rinjve, si dhe të krijohen hapësira ku psikologë dhe specialistë të fushës mund të ofrojnë ndihmë dhe këshillim. Ata shprehën solidaritetin e tyre me familjen e viktimës dhe kërkuan që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Si nisi konflikti që i mori jetën Erjon Bobës

Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 nëntor, rreth orës 14:00, vetëm pak minuta larg shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në sherr. Konflikti mes Erjonit dhe 14-vjeçarit me inicialet M.K dyshohet se nisi nga komentet dhe ofendimet në rrjetet sociale, të cilat vijuan edhe në ambientet e shkollës.

Sipas hetimeve paraprake, Erjoni kishte telefonuar 14-vjeçarin për të kërkuar sqarime, pasi ishte informuar se ai e shante vazhdimisht. Të dy adoleshentët ranë dakord të takoheshin, ku ishin të pranishëm edhe shokë të tjerë, tashmë të pyetur nga policia.

Takimi degradoi në përleshje, gjatë së cilës 14-vjeçari goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda pranë zemrës. Pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin “Nënë Tereza”, 15-vjeçari nuk arriti të mbijetonte dhe humbi jetën pas nëntë ditësh luftë për jetën.

Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa të rinjtë e Bulqizës i kanë bërë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë me politika parandaluese dhe me mbështetje të qëndrueshme psikologjike për fëmijët dhe adoleshentët.