Në 31-vjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, kryedemokrati Lulzim Basha firmosi sot peticionin e Dekomunistizimit, një nismë kjo e iniciuar nga Instituti për Demokraci për Media e Kulturë dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”.
I shoqëruar nga disa të rinj, Basha firmosi peticionin në një nga tendat e vendosura pranë sheshit “Skënderbej.”
Gjatë fjalës së tij, Basha kujtoi ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në 20 shkurt 1991.
“Kam qenë këtu në këtë shesh,. Kam mbërritur në një rrethanë të çuditshme. Dita nisi si një takim mes studentëve në Qyteti Studenti. Erdhi duke u bërë më e madhe me përfshirjen e qytetarëve të Tiranës. Pati një thirrje nga Rajmonda Bulku, që vajzat t’i kërkonin Presidentit heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti. Kam mbërritur këtu në orën 13:30. Familja ime ndodhej këtu në katër anë të sheshit. Asnjë prej nesh nuk e dinte që ishim këtu. Im atë kishte ardhur nga puna. Si familje bioplogjike ishim të shpërndarë. Që prej nisjes së protestës, deri tek festimi i këtiji momenti dhe çuarjes së shtatores së diktatorit, ne ishim bërë të gjithë një familje. Kulti i individit shkatërron” – tha Basha.
“Regjimi komunist në Shqipëri ushtroi dhunë të egër, të vazhdueshme, në dëm të jetës dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë. Mbi 6.000 persona u ekzekutuan, u vranë ose vdiqën në burgje. Rreth 35.000 burra e gra u burgosën, dhjetëra mijëra të tjerë u dëbuan dhe internuan. Trupat e të ekzekutuarve, të vrarëve ose të vdekurve në burg nuk iu kthyen kurrë familjeve, por u varrosën në vende të paidentifikuara: një pjesë e mirë e tyre nuk janë gjetur ende! Ne shprehim respektin më të thellë për secilën viktimë të regjimit komunist shqiptar dhe ndihemi në faj që edhe sot, pas 31 vjetësh, kjo tragjedi nuk është zbardhur siç duhet dhe dhunimi masiv i të drejtave të njeriut nuk është dënuar”, thuhet ne peticion.
Peticioni për Dekomunistizimin dhe drejtësi do t’i dorëzohet më pas Kuvendit të Shqipërisë.
Në përmbajtjen e saj, ajo ka kërkesa specifike mbi miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën, vettingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve, rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve, rishqyrtimin e kurrikulave mësimore, etj.
