Ndezi mbeturinat në tokën e tij/ Arrestohet 31-vjeçari në Rrogozhinë

RROGOZHINË- Një 31-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Rrogozhinë. Arrestimi tij ka ardhur pasi ia ka ndezur një zjarr në tokën e tij i cili më pas është përhapur duke djegur një sipërfaqe të madhe toke.

I arrestuari është identifikuar si Izabel Aliu. Zjarri është vënë në fshatin Ballaj ku janë djegur edhe pemë frutore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë. Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara,” thuhet në njoftimin e policisë.