SARANDË- Gjykata e Sarandës ka dhënë vendimin për masat e sigurisë ndaj katër drejtuesve të Komisariatit të Policisë Sarandë. Pas shtatë orësh seancë gjyqësore, prokuroret Silvana Belishta dhe Esmeranda Basho, kanë caktuar masën “arrest me burg” për një afat 45-ditor për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn.
Gjatë kësaj periudhe pritet që organi i akuzës të paraqesë prova shtesë mbi të cilat mbështeten akuzat. Ndërsa për dy efektivët e tjerë, Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u kërkua masa “arrest në shtëpi”.
Bëhet me dije se gjatë seancës mbrojtja ka kundërshtuar kërkesat e Prokurorisë, me argumentin, se arrestimet e klientëve të tyre janë të paligjshme dhe të pambështetura në prova të mjaftueshme. Ata kërkuan lirimin e menjëhershëm të katër drejtuesve të policisë, duke pretenduar se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masave shtrënguese të sigurisë.
Po ashtu gjatë seancës kanë dhënë deklarimet e tyre edhe vetë katër drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, të cilët kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Ata janë shprehur para trupës gjykuese se janë të pafajshëm dhe se kanë ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gykata, e përfaqësuar nga gjyqtari Shkëlzen Liçaj, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe caktimin e masave “arrest me burg” me 30 ditë për Gëzim Bashllari, Robert Cullaj dhe “arrest shtëpie” për Ajdin Islamaj dhe Andi Duron.













