TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për inceneratorin e Elbasanit. Apeli dënoi Lefter Kokën me 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj, ndërsa Alqi Bllako u dënua me 4 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite e 8 muaj. Ndërsa Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë dënuar me nga 10 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar ata do të vuajnë 6 vite e 8 muaj burg.
Stela Gugallja është dënuar me 7 vite burg, i cili me gjykim të shkurtuar shkon në 4 vite e 8 muaj bug, ndërsa Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo janë dënuar me nga 4 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar zbresin në 2 vite e 8 muaj. Bardhyl Çabiri është dënuar me 2 vite burg dhe Serafin Papa me 1 vit e 4 muaj. Ky vendim është marrë nga trupa gjykuese, e cila përbëhej nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.
Gjykata e Posaçme, në prill të vitin 2025, ka dënuar me 3 vjet burg ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka për inceneratorin e Tiranës. Koka do të vuajë 2 vite burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar. Bashkë me burgun që ka kryer, Koka nuk lejohet që të mbajë funksione publike për 5 vite. SPAK çoi për gjykim një pjesë të të akuzuarve për inceneratorin e Tiranës mes të cilëve edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, si dhe disa ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar afro 14 milion e 600 mijë lekë pasi ka falsifikuar dokumente për të shpronësuar një tokë për ta kthyer nga një tokë arë në truall në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka e kryetarin e shpronësimeve, Pëllumb Abeshi për Inceneratorin e Elbasanit. 0 Ish-ministri i Mjedisit ka dhe një dënim tjetër me 6.8 vite burg për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa për inceneratorin e Fierit, ku sërish është i përfshirë Lefter Koka, çështja është në rigjykim.













