Ndërron jetë pas 3 muajsh i riu që u plagos nga shpërthimi me tritol në banesën e motrave Nikolli në Elbasan!

Një shpërthim me tritol për motrat Nikolli në Elbasan rreth 3 muaj më parë, i mori jetën padrejtësisht një të riu. 26-vjeçari Enea Themollari ka ndërruar jetë, pasi mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i 14 korrikut në banesën e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli.

I riu ndërroi jetë në spitalin e Traumës dhe nuk ia doli dot betejës gati 3 mujore për t’u shpëtuar plagëve që mori padrejtësisht nga një shpërthim që nuk ishte shënjestër.

Shpërthimi ndodhi më 14 korrik 2024, në katin e katërt të një pallati në lagjen “Haxhias” të Elbasanit, aty ku banonin edhe dy motrat, të cilat si porositës të shpërthimit me tritol kanë akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.