Një i paraburgosur nga Durrësi ka ndërruar jetë në ambientet e QSUT, ku po merrte trajtim mjekësor.
Sipas informacionit zyrtar, 91-vjeçari Medat Spahiu ndërroi jetë në Reanimacionin Qendror rreth orës 14:10 të datës 3 prill 2026, si pasojë e një embolie pulmonare.
I ndjeri ishte arrestuar më 14 mars 2026 për veprën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë” dhe fillimisht ishte mbajtur nën kujdes mjekësor në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai u transferua më pas në Spitali Shefqet Ndroqi për trajtim të specializuar, ndërsa në fund të marsit u dërgua në QSUT.
Më 2 prill, ai u shtrua me urgjencë në reanimacion, ku u diagnostikua me disa probleme të rënda shëndetësore, përfshirë hipertension, diabet dhe komplikacione të tjera.
Autoritetet bëjnë me dije se janë ndjekur të gjitha procedurat përkatëse dhe familjarët janë njoftuar për ngjarjen.
Deklaratë për media
Rreth orës 14:10, datë 03.04.2026, i paraburgosuri Medat Spahiu ka ndërruar jetë në Reanimacionin Qendror në QSUT, si pasojë e një embolie pulmonare dexter.
I paraburgosuri Medat Spahiu, i datëlindjes 10.04.1935, banues në Xhafzotaj, Durrës ishte arrestuar më datë 14.03.2026 për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”.
Në datë 17.03.2026, ai ka hyrë në IEVP Durrës nga Komisariati i Policisë Durrës, por është mbajtur nën ruajtje në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës, ku ndodhej i shtruar.
Në datë 19.03.2026, është transferuar në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, në pavijonin e pneumologjisë, për trajtim të specializuar.
Në datë 31.03.2026, është bërë dalje nga Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe është shtruar në QSUNT.
Në orën 22:34 datë 02.04.2026, është shtruar me urgjencë në Reanimacionin Qendror, ku u diagnostikua me emboli pulmonare dexter, hipertension arterial, diabet mellitus, gjendje pas A.V.C. dhe frakturë subtrokanterike sinister.
Po zbatohen procedurat për rastin dhe janë njoftuar organet përkatëse dhe familjarët.













