Vlorë, 18 Tetor 2025
Një muaj e gjysmë pas aksidentit të rëndë në aksin rrugor Orikum–Himarë, ka ndërruar jetë 21-vjeçari që kishte mbetur i plagosur rëndë gjatë përplasjes së dy automjeteve, më 6 shtator, në fshatin Dukat Fushë.
I riu kishte qëndruar për trajtim të gjatë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas daljes nga spitali, ai ka pësuar komplikacione shëndetësore për shkak të zhvillimit të infeksioneve në plagët e marra nga aksidenti, çka solli përkeqësimin e menjëhershëm të gjendjes së tij. Pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore dhe transportimit të tij sërish drejt spitalit, 21-vjeçari nuk arriti të mbijetonte.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, ngjarja që i mori jetën të riut ndodhi në mesnatën e 6 shtatorit, rreth orës 01:30, në aksin rrugor Orikum–Himarë, në fshatin Dukat Fushë. Një automjet tip “Audi” u përplas me një tjetër “Fiat”, duke shkaktuar katër të plagosur, mes tyre edhe 21-vjeçarin që humbi jetën këtë të shtunë.
Në lidhje me aksidentin, nën hetim është vënë drejtuesi i “Audit”, Fadil Bodo, 22 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë shkaktar i përplasjes për shkak të shpejtësisë së lartë. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe pasagjerët Flavio Qepi, 20 vjeç, dhe D.K., 21 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë, si dhe drejtuesi i “Fiatit”, Gabriel Lazemetaj, 20 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, shpejtësia e lartë dhe humbja e kontrollit të mjetit dyshohet të kenë qenë shkaktarët kryesorë të përplasjes. Hetimet nga Policia dhe Prokuroria e Vlorës vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes tragjike që i mori jetën një të riu 21-vjeçar.
