TIRANË- Kur qeveria e Shqipërisë vendosi një ndalim njëvjeçar ndaj TikTok-ut, pas plagosjes fatale me thikë të një djali 14-vjeçar pas një sërë debatesh në rrjetet sociale, ajo premtoi se do ta përdorte këtë kohë për të punuar me platformën për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve.
Javën e kaluar, ndalimi skadoi, por nuk ka pasur ndonjë ndryshim të dukshëm në aplikacion, sipas përvojës së fëmijëve shqiptarë.
“Sot, autoritetet shqiptare po punojnë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok-ut për filtra mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollit të përmbajtjes dhe modaliteteve më efektive për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve”, tha qeveria më 4 shkurt.
Kjo u përsërit një ditë më pas gjatë një seance në Gjykatën Kushtetuese lidhur me një kundërshtim ligjor ndaj ndalimit të përdorimit të TikTok-ut, të paraqitur nga BIRN Albania dhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH.
Një përfaqësues i qeverisë tha në seancën dëgjimore se ishte arritur një marrëveshje për “filtra përkatës” që do të ndalonin përdorimin e disa fjalëve dhe shprehjeve dhe se TikTok-u do ta “shprehte publikisht këtë angazhim” në një aktivitet në shkurt.
Por kur u pyet nëse ekzistonte një marrëveshje me shkrim, përfaqësuesi u përgjigj: “Ligjërisht… për momentin nuk kemi një qëllim të tillë. Por ata janë zotuar të vendosin filtrat përkatës.”
Gjykata ka refuzuar një kërkesë të qeverisë që çështja të pushohej tani që ndalimi ka skaduar, duke përmendur “interesin e lartë publik” që të vazhdojë.
Në një njoftim për shtyp, AGSH-ja tha se qeveria po mbështetej në premtime nga TikTok-u dhe jo në instrumente ligjërisht detyruese.
“Po ashtu, pyetja se çfarë masash do të merreshin nëse filtrat nuk do të funksiononin mbeti pa përgjigje, duke lënë të hapur mundësinë e një mbylljeje tjetër në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.
Ndalimi i TikTok-ut u shkel gjerësisht falë përdorimit të rrjeteve private virtuale, ose VPN-ve, të cilat u mundësuan përdoruesve shqiptarë të “zhvendoseshin” virtualisht në vende të tjera dhe të vazhdonin ta përdornin TikTok-un lirshëm.
Brenda pak orësh nga hyrja në fuqi e ndalimit, një nga kompanitë që ofron shërbime VPN në Shqipëri tha se përdorimi ishte rritur ndjeshëm.
“Përdorimi i #ProtonVPN është rritur me 1,200% mbi nivelin bazë dhe kjo shifër po vazhdon të rritet ndërsa shqiptarët kërkojnë qasje në një internet të hapur dhe të lirë”, shkroi Proton VPN në X më 13 mars të vitit të kaluar.
Ndalimi u shpërfill, madje, edhe nga disa zyrtarë qeveritarë: Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për shembull, mbeti aktiv në TikTok nga burgu pas arrestimit të tij nën akuzat për korrupsion.
I pyetur nga Politico në dhjetor të vitit të kaluar nëse ndalimi kishte qenë efektiv, Kryeministri shqiptar Edi Rama këmbënguli se kishte pasur përfitime.
“Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok-un dhe në vendosjen e disa masave mbrojtëse që më parë nuk ekzistonin”, tha ai.
Megjithatë, Orkidea Xhaferraj, eksperte në Qendrën për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, tha se nuk kishte “asnjë provë lidhur me efektivitetin” e ndalimit.
Të gjithë procesit i ka munguar transparenca, tha Xhaferraj për BIRN.
“Vendimi për të mbyllur aksesin në TikTok u mor pasi qeveria njoftoi konsultime me prindër dhe mësues, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për mbylljen e aksesit”, tha ajo. “Dokumentacioni i këtij konsultimi nuk është bërë publik.”
Ndërsa disa vende të Bashkimit Evropian po shqyrtojnë ndjekjen e shembullit të Australisë për të kufizuar rrjetet sociale për moshat nën 16 vjeç, ndalimi në Shqipëri u aplikua për të gjithë përdoruesit, “jo vetëm për fëmijët”, vuri në dukje Xhaferraj.
Ai pasoi gjithashtu përpjekjet e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, AMA, për të bashkëpunuar me TikTok-un mbi këtë çështje — përpjekje që qeveria më parë i kishte cilësuar si të suksesshme.
“I gjithë zinxhiri i veprimeve qeveritare ka treguar qartazi mungesë koherence në qasjen ndaj rregullimit të veprimtarisë së platformave digjitale”, tha Daniel Prroni, studiues i të drejtave digjitale me bazë në Tiranë.
“Ndërhyrjet kanë qenë të fragmentuara, shpesh kontradiktore dhe të shkëputura nga përpjekjet e mëparshme për harmonizim me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së, i cili synon pikërisht adresimin e shqetësimeve për përmbajtje të dëmshme në mënyrë sistematike dhe proporcionale.”
“U njoftua se po punohet për filtra sigurie në kuadër të një marrëveshjeje vullnetare”, tha Prroni, ndërkohë që vetë qeveria po përpiqet të harmonizojë rregulloret ligjore me Aktin e Shërbimeve Digjitale, “çka do të thotë se rregullat për moderimin e përmbajtjes do të jenë detyrim ligjor dhe jo një angazhim vullnetar për të gjitha platformat digjitale”./BIRN














