Ndahet nga jeta Abdyl Xhaja, ish-zëvendëskryeministër dhe një nga figurat e shquara të ekonomisë shqiptare

Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare Abdyl Xhaja, një ndër personalitetet më të spikatura të ekonomisë dhe politikës shqiptare në dekadat e fundit të shekullit XX.

I lindur më 13 mars 1943 në Elbasan, Abdyl Xhaja përfundoi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës në vitin 1965, duke u diplomuar si ekonomist për industri. Karriera e tij e gjatë dhe e pasur filloi në ndërmarrjet industriale të Elbasanit dhe vazhdoi me role drejtuese në Kombinatin Metalurgjik, Ministrinë e Industrisë dhe më pas në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare.

Ai shërbeu si zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës, zëvendëskryeministër, si dhe ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës në disa periudha gjatë viteve ’90. Abdyl Xhaja ka qenë gjithashtu deputet i Partisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të saj.

Pas vitit 1997, ai kontribuoi si këshilltar pranë unionit të investitorëve të huaj dhe pranë Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke vijuar angazhimin e tij në fushën e ekonomisë dhe burimeve natyrore.

Për kontributin e tij, Xhaja ishte nderuar edhe me titullin “Qytetar Nderi” i Oklahomës, një vlerësim i rrallë për një qytetar shqiptar.

Kush ishte Abdyl Xhaja?

​U lind më 13 mars 1943 në Elbasan.
1961 – 1965 ndjek Fakultetin Ekonomik në UT, duke u diplomuar ekonomist për industri.
1965 – shkurt 1966 ekonomist plani në ndërmarrjen tregtare të artikujve të përzier, Elbasan.
1966 – 1974 ekonomist dhe kryetar dege plani në Uzinën e Petëzimeve, Elbasan.
1967 – 1973 anëtar i Komitetit Shtetëror të Statistikës.
1974 – 1981 ekonomist dhe kryetar dege plani në Drejtorinë e Përgjithshme të Kombinatit Metalurgjik Elbasan (KME).
1981 – 1983 specialist në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike Elbasan.
1983 – 1989 kryetar dege plani në Drejtorinë e Përgjithshme të KME.
1989 – 1990 kryespecialist në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave.
1990 — 1991 drejtor i Drejtorisë Planit në Ministrinë e Industrisë, Minierave dhe Energjetikës.
1991 – Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikë.
1991 – 1992 Zëvendëskryeministër.
1991 – 1992 dhe 1994 – 1997 Ministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1992 – 1994 Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1995 -1997 anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
1996 – 1997 deputet i PD-së.
1997 kandidat i PD-së për deputet.
1997 – 1998 këshilltar i unionit të investitorëve të huaja në Shqipëri.
1999 këshilltar i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Mban titullin “Qytetar Nderi” i Oklahomës”