Shkodër, 18 Nëntor 2025
Reshjet e dendura dhe moti i paqëndrueshëm kanë shkaktuar probleme serioze në zonat malore të veriut, duke izoluar disa fshatra dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Rrëshqitjet e dherave dhe vërshimet e ujërave kanë bllokuar akse të rëndësishme rurale, ndërsa situata mbetet e vështirë në disa prej komuniteteve të Dukagjinit.
Zona më e prekur është aksi Theth–Ndërlysa dhe segmenti Ndërlysa–Breg Lumi, ku disa fshatra kanë mbetur të shkëputur përkohësisht, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme. Ekipet e bashkisë Shkodër, Emergjencave Civile dhe Forcat e Ushtrisë pritet të ndërhyjnë gjatë ditës për të pastruar rrëshqitjet dhe për të rikthyer lëvizjen normale.
Ndërkohë, sipas autoriteteve, rruga kryesore Shkodër–Theth është e kalueshme dhe pa probleme, njësoj si akset nacionale dhe rrugët kryesore të qarkut, të cilat po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.
Problematika shtesë është krijuar nga mungesa e energjisë elektrike në disa zona të bashkisë Vau Dejës dhe në fshatra të tjerë malorë, ku moti i keq ka shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik. Ekipet e terrenit po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji.
Situata është rënduar edhe më tej gjatë natës në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një shtëpi dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, banesa e shtetasit Zef Preknicaj është djegur totalisht, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar. Hetimet paraprake sugjerojnë se shkaku i zjarrit ka qenë një rrufe, si pasojë e aktivitetit të shtuar elektrik në atmosferë.
Të gjitha strukturat e bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë dhe OSHEE mbeten në gatishmëri, ndërsa banorëve u kërkohet të kufizojnë lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat malore dhe në akset e rrezikuara, deri në stabilizimin e kushteve të motit.













