Mot i paqëndrueshëm në të gjithë vendin. Parashikimi për sot

Tiranë, 22 gusht 2025 – Vendi ynë ditën e premte do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë reshje shiu, stuhi të shkurtra dhe mundësi për breshër lokal.

Sipas parashikimeve, orët e para të ditës do të nisin me reshje në veriperëndim, të cilat gradualisht do të shtrihen në pjesën tjetër të territorit. Intensiteti i tyre do të variojë nga i ulët deri mesatar, ndërsa lokalisht priten edhe shtrëngata afatshkurtra.

Situata më problematike parashikohet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë, ku reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri të lartë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht breshër, kryesisht gjatë orëve të mëngjesit.

Gjatë ditës reshjet do të mbeten prezente në pjesën më të madhe të vendit, por me intensitet më të ulët, ndërsa në orët e pasdites dhe mbrëmjes parashikohet një përmirësim gradual i motit me ndërprerje të reshjeve.

Era do të fryjë me drejtim juglindje–jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, duke arritur deri në 20 m/s në lugina dhe përgjatë bregdetit. Në det, valëzimi do të jetë i forcës 4–5 ballë.