Ministrja Diella “sëmuret” gjatë “shtatzënisë”, ja çfarë i ndodhi?

Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se ministrja e parë me inteligjencë artificiale, Diella, ishte “shtatzënë” dhe në pritje të 83 “fëmijëve”.

Deklarata, ndonëse serioze, shkaktoi të qeshura dhe u kthye në virale në mediat sociale, ku nuk munguan as kritikat për shkak të tonit distopik të saj.

Në fakt ajo që Rama nënkuptonte ishte se pas Diellës, qeveria planifikon të krijojë dhe 83 asistentë me inteligjencë artificiale që do t’i caktohen çdo deputeti socialist.

Megjithatë, Diella shtatzënë sot nuk është ndjerë mirë. Kjo për shkak se platforma që i mundëson Diellës të ekzistojë ka hasur probleme duke dalë herë pas here jashtë funksionit.

Për ata që nuk e dinë, Diella mundësohet nga “Azure”, serverat virtualë të kompanisë Microsoft, apo ajo që quhet si “cloud computing”.

“Ne po ndërmarrim dy veprime të njëkohshme ku po bllokojmë të gjitha ndryshimet në shërbimet AFD dhe në të njëjtën kohë po kthehemi në gjendjen tonë të fundit të njohur”, njoftoi Microsoft gjatë problemeve teknike të ditës së sotme.

Kjo do të thotë se Diellës do t’i bëhet një “reset” çka mund të shkaktojë edhe humbjen e pjesshme të memories që nga pika e fundit e regjistruar e njohur si “restore point”.

Por fakti që “truri” i Diellës është brenda serverave të Microsoft, në një farë mënyre e bën atë që të jetë edhe ministrja e parë me inteligjencë artificiale e Shqipërisë, por jo shqiptare.

Truri, apo ajo që në gjuhën teknike quhet “back end” pjesa ku Diella kryen llogaritjet, ku ruhen të dhënat dhe e gjithë prapaskena e paaksesueshme nga përdoruesi, është e mundësuar nga Microsoft, çka ka ngritur edhe shqetësimet e ekspertëve të teknologjisë për privatësinë, aksesimin e të dhënave nga palë të treta dhe ndryshimin apo manipulimin e tyre nga aktorë të tjerë.