Ministrat Hoxha dhe Vengu inspektojnë Landfillin e Elbasanit pas përfundimit të operacionit për shuarjen e zjarrit

Elbasan, 8 Korrik 2025 – Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, të shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja dhe prefekti i qarkut Ilir Bejtja, inspektuan sot sërish landfillin e Elbasanit, pas përfundimit të operacionit për shuarjen e zjarrit që përfshiu zonën ditët e fundit.

Kryebashkiaku Llatja: Situata po normalizohet
Kryebashkiaku Gledian Llatja e cilësoi situatën si një sfidë të vështirë, por të menaxhuar me sukses falë angazhimit të të gjitha strukturave përkatëse. Ai u shpreh se:

“Ka pasur vonesa në transportimin e mbetjeve ditët e fundit për shkak të zjarrit, por aktualisht po punohet për normalizimin e situatës dhe po bëhet transportimi drejt venddepozitimit.”

Ministri Hoxha: Hetim për zjarrin, do riorganizojmë strukturat
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha falënderoi 45 forcat operacionale që morën pjesë në shuarjen e flakëve dhe theksoi se:

“Zjarri është menaxhuar dhe situata është aktualisht e qetë. Megjithatë, janë shkaktuar dëme në mjedis dhe lind nevoja për riorganizimin e strukturave që administrojnë landfillin.”

Ai nënvizoi gjithashtu se për rastin është regjistruar një hetim zyrtar dhe materialet janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Ministri Vengu: Monitorim me kamera termike dhe ekspertizë të huaj
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se operacioni për shuarjen e zjarrit është përmbyllur me sukses dhe tashmë po ndërmerren masa parandaluese për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Ai u shpreh:

“Do të vendosen kamera termike për monitorim të vazhdueshëm dhe për ndërhyrje në kohë në rast rreziku. Gjithashtu, është ngritur një grup pune me ekspertizë vendase dhe të huaj, që do të japë një vlerësim të plotë mbi situatën dhe do të ndihmojë në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve.”