Mes pikëllimit të thellë përcillen për në banesën e fundit dy vëllezërit e mbytur në lumin Shkumbin në Labinot Fushë

Labinot-Fushë, Elbasan – 19 Korrik 2025
Mes një dhimbjeje të papërshkrueshme, janë përcjellë sot për në banesën e fundit Françesk Bica, 8 vjeç, dhe Darvin Bica, 10 vjeç, dy vëllezërit që humbën jetën tragjikisht një ditë më parë në lumin Shkumbin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Labinot-Fushë, ku dy të miturit, të shoqëruar nga nëna e tyre, ndaluan pranë lumit për t’u larë pasi kishin kullotur bagëtitë. Për fat të keq, ata u morën nga rrymat e forta dhe nuk mundën të dilnin më në breg. Trupat e tyre të pajetë u gjetën disa orë më vonë në një kanal të lumit nga banorët e zonës.

Sot, familja Bica hapi dyert e mortit, ndërsa ceremonia mortore u zhvillua në orën 16:00, e shoqëruar nga një kortezh i madh me dhjetëra e ndoshta qindra banorë të zonës, që u bashkuan në këtë moment pikëllimi të thellë.

“Zemrat e mia, ma këputët shpirtin,” – ishte mesazhi i nënës së dëshpëruar, që si shumë të tjerë, reaguan me lot dhe dhimbje në rrjetet sociale për këtë humbje të parakohshme.

Komuniteti i Labinot-Fushës, por edhe më gjerë, është tronditur nga kjo tragjedi që rikthen në vëmendje domosdoshmërinë për më shumë kujdes dhe masa sigurie pranë zonave të rrezikshme ujore, sidomos gjatë muajve të verës.