Mbetjet urbane ‘pushtojnë’ Gjergjanin, banorët ankohen për mungesën e pastrimit

Pamjet e kazanëve të mbeturinave në Njësinë administrative Gjergjan në bashkinë Elbasan nuk kanë nevojë për koment.
Sipas banorëve kjo situatë vazhdon të qëndrojë e tillë edhe pas ngritjes se problematikës nga ana e tyre. Ata shprehen se makina e grumbullimit kalon në fshat mesatarisht një herë në javë, por ka raste dhe 1 herë në dy javë. Banorët thonë se paguajnë rregullisht taksa për pastrimin ndërkohë që nuk marrin shërbimin që meritojnë.

“Na futen të gjitha plehërat brenda, detyrohemi t’i mbledhim prap e t’i hedhim në kazan. Nga kazanët pastaj kur të vijnë t’I mbledhin ata të pastrimit- shprehet e shqetësuar një banore.
Një tjetër banor thotë se në 14 vite i ka paguar taksat çdo vit, por shërbimi që ofrohet është shumë i dobët. “Makinat e pastrimit vijnë një herë në dy javë”- shprehet ai.

Kazanë të mbetjeve ndodhen edhe pranë përrenjve duke shkaktuar kështu ndotjen e tyre. Me rritjen e temperaturave janë duke u kthyer në vatra infeksioni për banorët që jetojnë aty pranë.
“Kemi hallin e fëmijëve që kalojnë dhe luajnë këtu përditë se plehërat burim infeksioni janë”-thotë një tjetër banor.

Edhe pse pastrimi i njësive administrative I ka kaluar nga administrimi I bashkisë Elbasan në kompaninë private Viola GREEN nga dhjetori I vitit 2023 me një vlerë totale rreth 56.5 milion lekë të reja situata duket se nuk ka ndryshuar.