Marrin kthesë hetimet për vrasjen e Sulo Halilit në Greqi, policia dyshon për ngatërrim identiteti me një tjetër shqiptar

Hetimet për ekzekutimin e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili në Skurta të Vojotisë po marrin drejtim të ri, pasi autoritetet greke po shqyrtojnë mundësinë e një ngatërrimi identiteti. Viktima, i gjetur i pajetë dhe i djegur në një zonë të pyllëzuar, ishte shpallur i zhdukur që prej 4 nëntorit, ndërsa identifikimi u konfirmua me analizë ADN-je.

Një nga pistat kryesore është se autorët mund të kenë ngatërruar 27-vjeçarin me një tjetër shqiptar me të njëjtin emër e mbiemër, i njohur për precedentë penalë dhe i përfshirë në veprimtari kriminale. Hetuesit theksojnë se të dy personat kanë ngjashmëri fizike dhe të njëjtën identitet nominativ, ndërsa viktima nuk kishte asnjë të dhënë kriminale.

Një skenar tjetër lidhet me konfliktin e mundshëm me ish-partnerin e të dashurës së Halilit, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar më herët. Policia po verifikon çdo komunikim apo takim të mundshëm përpara zhdukjes së tij.

Familja e 27-vjeçarit mohon çdo lidhje me botën e krimit, duke deklaruar se ai ishte njeri i qetë, punëtor ndërtimi dhe i martuar. Një pistë që po hetohet është edhe një kontakt i dyshimtë në rrjetet sociale, pasi Halili komunikonte prej muajsh me një vajzë, të cilën mund të ketë shkuar të takonte ditën që u zhduk.

Autoritetet kanë sekuestruar telefonat e viktimës dhe familjarëve, po analizojnë mesazhet në TikTok dhe platformat e tjera, si dhe po verifikojnë kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të tij.

Gjetja e një fragmenti plumbi në trupin e tij i ka shtyrë hetuesit të dyshojnë për një ekzekutim të kryer nga persona me përvojë kriminale, të cilët më pas kanë tentuar të zhdukin provat duke djegur trupin.

Hetimet vazhdojnë me intensitet, ndërsa policia greke pritet të publikojë zhvillime të reja në ditët në vijim.