Lëvizja e tregut aktual në Belsh/ Tregtarët në protestë, hyjnë me forcë brenda bashkisë

Tregtarët e Belshit kanë dalë përsëri në protestë ditën e sotme, kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tregut larg qendrës së banuar.Pasi nuk morën asnjë përgjigje, protestuesit kanë hapur me forcë derën kryesore të bashkisë duke u futur ne ambientet e brendshme për t’u takuar me kryetarin e bashkisë.
Ata shprehen për mediat se vendi ku do të zhvendoset tregu është i papërshtatshëm dhe shumë larg zonës së banuar.

“Jashtë, në çdo vend të botës tregu bëhët në qendër të qytetit dhe pazari zgjat mbi 4-5 orë. Ne kërkojmë informacion nga bashkia, kryetari të marrë masa sepse si vend është i papërshtatshëm”- është shprehur një nga tregtarët e zonës.
Nga pamjet e siguruara duken tregtarët teksa konfiktohen me policinë bashkiake dhe futen brenda godinës së bashkisë Belsh.

Ndërkohë në një prononcim për mediat, sekretari I përgjithshëm i bashkisë së Belshit Mustafa Çarçiu u shpreh se tregu i ri zhvendoset nga qyteti i Belshit , rreth 3 km më tutje, ku do të jenë të gjitha kushtet e nevojshme.


“Bashkia e Belshit ka marrë masa për largimin e tregut nga qyteti i Belshit. Kjo për shkak se siç e dini të gjithë, Belshi është një qytet turistik dhe vendi ku zhvillohej tregu është pengesë për zhvillimin e rrugëve dhe për turistët. Arsyeja tjetër ishte ndotja që krijohej në rrugë dhe në liqen. Aq më keq që qyteti i Belshit, të shtunën dhe të dielën vizitohet nga mbi 2000 turistë dhe bashkia Belsh e pa të arsyeshme me vendim këshilli lëvizjen e tregut nga qyteti i Belshit në tregun e ri që është bërë investim i posaçëm i qeverisë dhe është me kushte dhe standarte të mira”- tha Çarçiu.

Nga ana tjetër ai hodhi poshtë pretendimet e tregtarëve se nuk ishin njoftuar për këtë zhvendosje.

‘Vendimi i këshillit është marrë që në shtatorin e 2023 dhe lëvizja e pazarit 3-4 të shtuna më përpara, pavarësisht se gjysma venë atje dhe gjysme vijnë këtu. Janë në dijeni, janë njoftuar’, shton sekretari.

Së fundmi ai bën me dije se në planet e bashkisë së Belshit është edhe ndërtimi i një markate ushqimore me standarte në qytet.