Personi që shihni në foto është Daniel Pepa, 21-vjeçari i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e 33-vjeçarit Flori Paluçi në Manzë.
Pepa vrau Paluçin pas një sherri në një lokal për një kafe, pasi kamerieri iu tha se ekspresi është i fikur dhe nuk mund t’ua shërbente.
Katër persona janë vënë në pranga nga policia lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti. Në pranga u vunë Ergi Kadiu 25-vjeç, Erald Cani 21-vjeç si dhe dy vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja 37 dhe 34-vjeç, të gjithë të akuzuar për mos kallëzim krimi.
Në kërkim përveç autorit të vrasjes së Paluçit, Daniel Pepa është shpallur edhe 30-vjeçari Gëzim Allci me akuzat e armëmbajtjes pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autori të krimit.
21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është debatuar me kamarierin dhe me Flori Paluçin, i cili shoqërohej në lokal me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Erald Cani i arrestuar për moskallëzim krimi. Pepa debatoi pasi kërkoi kafe ndërsa kamarieri Alteo Pepa i tha se ekspresi është fikur. Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet dhe më pas është kthyer bashkë me Ergi Kadiu dhe Aranit Kurtin. Teksa ata kanë tentuar që të hyjnë sërish në lokal, ka dalë Flori Paluçi dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Paluçit duke e plagosur, ndërsa Aranit Kurti e ka qëlluar me grushte në fytyrë. Paluçi, sipas policisë, ka qëlluar ndaj të dyve. Nga plumbat mbetën të vrarë Aranit Kurti që u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit u vra nga Daniel Pepa.
