Kush ishin Fadil Gurmani dhe Zija Luniku/ Si u pushkatuan 4 intelektualët elbasanas në vitin 1948(dokumenti)

Fadil Gurmani, veprimtar i shquar i arsimit, hartues tekstesh, “Mësues i Popullit”. Lindi në Elbasan më 1905 në një familje qytetare.I ati i tij, Ismaili, ishte shajakpunues i cili u vra në luftën e Shkodrës duke lënë jetim fëmijët e tij, Eminin, Fadilin dhe Hedijen. Për këtë familje u kujdes veçanërisht Aqif Pashë Biçakçiu.Arsimin fillor e kreu në shkollën Plotore që më vonë mori emrin “Naim Frashëri” në Elbasan.Si jetim që mbeti, patrioti Aqif Pashë Biçakçiu i krijoi mundësi financiare për tu shkolluar jashtë shtetit, në Austri dhe në Gjermani. Sipas të thënave të fëmijëve të Fadilit, familja e prodhimit Benz, duke parë aftësitë e zhvillimit të tij intelektual, donte ta mbante për të punuar në kompaninë e tyre. Por Fadil Gurmani preferoi të kthehej në atdhe, duke u specializuar në fushën e mësuesisë. Ndër pedagogët e tij ka qenë edhe psikologu Adler. Gjatë pushimeve verore të vitit 1920 kur ndodhej në Elbasan u përfshi si instrumentist në orkestrën frymore “Afërdita”. Pas kthimit në Shqipëri, emërohet mësues në shkollën Ushtrimore pranë shkollës Normale. Në Normale jepte metodikën e bukurshkrimit dhe metodikat e tjera.Në tetor 1935 u emërua Kryemësues në Ushtrimore dhe në vitin 1936 inspektor i arsimit në Prefekturën e Elbasanit.Në maj 1939, pasi kishte kundërshtuar pushtimin italian, u pushua nga puna dhe u internua në Itali.Më 1942, lirohet nga internimi dhe emërohet inspektor në prefekturën e Durrësit. Më 1943 qe pedagog në Institutin Femëror ”Nana Mbretëreshë” dhe më 1944 drejtor i Arismit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit.Pas Luftës II Botërore u vendos mësues në Elbasan, por u arrestua më 1947dhe më 9 mars 1948 u pushkatua me akuzën “Krime kundër shtetit”. (?!)Fadil Gurmani ka dhënë ndihmesë të veçantë në shkollën shqiptare për propogandimin dhe zbatimin e parimeve pedagogjike të shkollës aktive. Në shtyupin pedagogjik të viteve 1929 – 30 botoi artikuj me përvojë dhe kritikë për punën e mësuesit të klasës së parë. Botoi për msuesit e klasës së parë “Mësime shembullore”, “Mësime sendesh”, modele për metodën “shtjelluese kallëzuese”, mënyrat e përdorimit të kallëzimeve e prrallave, lëndë praktike të klasës së parë. Vend të veçantë zë studimi “Metodika e veçantë e klasës I-rë” më 1929.
Kontribues per foton dhe CV : Ismail & Enver Gurmani .
Marre nga ADE.

Kush ishte Zija Luniku

Zija Luniku lindi në vitin 1908. Ishte i biri i klerikut Hafëz Sulejman Luniku. Përfundoi Normalen në vitin 1929. Më pas vijoi studimet e larta për drejtësi në Firence të Italisë. Në vitin 1935 përfundon studimet dhe mbron temën: E drejta zakonore e popullit shqiptar dhe kanuni i Lekë Dukagjinit.

Njihte disa gjuhë të huaja. Kthehet në atdhe dhe fillon punë si jurist në Berat në vitet 1935-1938. Transferohet në Vlorë në vitet 1938-39 dhe në Shkodër në vitet 1940-43. Nga viti 1944-46 punon si avokat në Elbasan dhe mbrojti disa figura të shquara si Shefqet Daiun në gjegjin e zhvilluar kundër tij. Në dhjetor 1946 arrestohet nga regjimi komunist dhe torturohet për rreth një vit janar-dhjetor 1947. Ekzekutohet më 9 mars 1947 bashkë me Fadil Gurmanin, Mahmut Maçin dhe Xhafë Mirakun.

Katër intelektualët elbasanas mendohet se u ekzekutuan në Krastë në vendin e quajtur “kodër Krastë”, por deri më tani përpjekjet e familjarëve dhe institucioneve nuk kanë mundur të zbulojnë eshtrat e tyre.
Zbulohet dokumenti që përmban amanetet e fundit të katër intelektualëve elbasanas para pushkatimit. Dokumenti i përket Gjykatës Ushtarake të Elbasanit. Ai mban datën 11 mars 1948 dhe i drejtohet Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë.

Republika Popullore e Shqipnis Vdekje Fashizmit

Gjykata Ushtarake e Elbasanit Liri Popullit

Nr. 798 i Akti Elbasan më 11.03.1948

Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë

Përgjigje urdhrit nr. 294/1 datë 8 mars 1948:

Data e ekzekutimit të dënuarve me vdekje: 1- Fadil Gurmani, 2-Zija Lunikut, 3- Xhaferr Mirakut dhe 4- Mahmut Maçit ashtë 09.03.1948 ora 19 e mbramjes të cilët para ekzekutimit u shprehën si vijon: Xhaferr Miraku tha: Rroftë Pushteti! Shqipëninë le ta gëzojnë shokët e vendosun, kjo është e vërteta, amanet djalin ta edukoni dhe ta bani njeri të vlefshëm! 2- Zija Luniku tha: Rroftë Shqipëria! 3- Mahmut Maçi tha: Rroftë nacionalizmi pa parti! 4- Fadil Gurmani nuk foli asnjë fjalë.