Kur “Energjia e Gjelbër” rrezikon të kthehet në gri: pasojat e padukshme të parqeve fotovoltaike në mjedis

Nga Bardha Nergjoni
Në një kodër jo shumë larg Elbasanit, dielli shkëlqen pa pengesë mbi një sipërfaqe të gjerë toke. Aty vazhdojnë të rritën pemë, bimë aromatike, dhe gëlonte jeta e natyrës me zëra zogjsh, insektesh, apo zvarranikësh që lëviznin. Shumë shpejt në vend të tyre do të vendosen panele fotovoltaike që ndjekin lëvizjen e diellit, qetësisht, në heshtje, duke prodhuar energji “të pastër”. Banorët thonë se nuk kanë parë derimëtani lëvizje për ndërtim por shumë shpejt në kodrën e tyre kullotë do të ketë një parkfotovoltaik.
Por a është gjithçka kaq e pastër sa duket?
Elbasani është kthyer vitet e fundit në një nga zonat më aktive në Shqipëri për ndërtimin e parqeve fotovoltaike. Pas Poliçanit dhe Kolonjës, kjo bashki ka dhënë mbi 3.3 milionë metra katrorë leje për struktura që prodhojnë energji diellore. Në pamje të parë, një histori suksesi: investitorë që shfrytëzojnë tokat e tyre, pa ndotje, pa tym, pa turbina, pa ndërhyrje të dhunshme. Por tabloja nuk është kaq e ndritshme.
Në vitet e fundit, gjithnjë e më shumë leje janë dhënë edhe në sipërfaqe pyjesh dhe kullotash publike, shpesh me ndikim të ndjeshëm në ekosisteme lokale. Dhe ndonëse ligjërisht kërkohet një Vlerësim i Ndikimit në Mjedis (VNM), praktika tregon se këto vlerësime shpesh janë të paplota, sipërfaqësore, apo nuk adresojnë në thelb ndikimet reale.

Ndërtim i pastër, por me pasoja të fshehura mjedisore
Në një nga rastet e shqyrtuara, leja e dhënë për ndërtimin e një centrali fotovoltaik nuk përfshinte analizë të strukturave që do të mbajnë panelet: themelet, rrugët ndihmëse, zyrat teknike, parkingjet, madje as ndikimin vizual që këto elementë sjellin në peizazh.
“Nëse heqim vëmendjen nga panelet dhe shohim gjithë atë që u ndërtua për t’i mbajtur – nga trarët metalikë, ndërtimet provizore, rrugët që u hapën për kamionët, mbetjet inerte – atëherë kuptojmë se nuk kemi të bëjmë me një investim pa ndikim”, thotë një ekspert mjedisi që kërkon të mbetet anonim.
Raportet tregojnë se gjatë fazës së ndërtimit: Ndikohet cilësia e ajrit nga pluhurat dhe gazrat e mjeteve të rënda. Dëmtohet flora lokale, shpesh me bimësi të veçantë mesdhetare. Shpërngulen ose shqetësohen speciet e faunës, përfshirë zvarranikë, insekte, madje edhe breshka të mbrojtura dhe prishet peizazhi dhe karakteri natyror i zonës. Në fund të procesit, natyra nuk është më e njëjta.

Kur energjia e gjelbër gllabëron natyrën
Ky fenomen po shtohet sidomos kur projektet vendosen në kullota dhe pyje, që për nga funksioni ekologjik kanë një rëndësi shumë më të madhe se një tokë private e shfrytëzuar më parë. Në disa raste, ndërhyrjet kanë qenë aq të thella sa kanë përfshirë edhe zonat me vlerë peizazhi ose me trashëgimi të pasur ekologjike – edhe pse ligji kërkon vlerësim të tillë.
A ka rrugë tjetër? Po, por me kujdes
Energjia diellore është padyshim një e ardhme e domosdoshme për Shqipërinë dhe për botën. Por ndërtimi i parqeve diellore duhet të kalojë përmes një procesi rigoroz, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku komunitetet të informohen, ekspertët të konsultohen realisht dhe peizazhi të vlerësohet si pasuri, jo si tokë e lirë për shfrytëzim thotë eksperti mjedisor.
“Nëse nuk veprohet tani, ekziston rreziku që natyrën ta zëvendësojmë me peizazhe metalike, që prodhojnë energji të pastër, por në një botë më të varfër biologjikisht dhe më të shëmtuar vizualisht”.
Dhe ky nuk është tranzicioni jeshil që ne presim dhe parqet fotovoltaike rrezikojnë të kenë të njëjtin efekt si hidrocentralet e vegjël që u ndërtuan thuajse në cdo përrua por që pasojat i dhanë disa vite më vonë tek mjedisi dhe komuniteti.