KQZ certifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë, Vetëvendosje forca e parë me 53 mandate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja.

Sipas rezultateve zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet forca e parë politike me 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 mandate në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 19.44 për qind të votave dhe 22 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është renditur e treta me 16.69 për qind dhe 18 mandate.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 6.74 për qind të votave, duke fituar shtatë ulëse në Kuvend. Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 5.40 për qind të votave dhe nëntë mandate.

Sa u përket subjekteve të komuniteteve joshumicë, Kosova Demokratik Türk Partisi ka siguruar dy mandate, ndërsa koalicioni “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” dhe Koalicija Vakat kanë fituar nga një mandat secili.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se rinumërimi i votave në 185 vendvotime nuk evidentoi parregullsi që do të justifikonin zgjerimin e procesit. Sipas tij, dallimet e konstatuara ishin minimale dhe lidhen kryesisht me rikategorizimin e disa fletëvotimeve dhe gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar.

Pas certifikimit të rezultateve, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa brenda afatit ligjor prej 48 orësh.