Kavajë – 69-vjeçarja humb jetën në plazhin e Qerretit

Kavajë, 27 Korrik 2025 – Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në plazhin e Qerretit, ku një grua ka humbur jetën pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak në momentin që ka hyrë në det.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 10:45, shtetasja L. Sh., 69 vjeçe, banuese në Tiranë, ka pësuar një ndalesë të menjëhershme kardiake, çka dyshohet se ka sjellë edhe humbjen e jetës së saj. Ngjarja ka ndodhur pranë vijës bregdetare, ndërsa personi ndodhej në ujë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes së të ndjerës.

Autoritetet kanë bërë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht nga personat me probleme shëndetësore, gjatë qëndrimit në diell dhe hyrjes në det.