Kapet në Elbasan i dënuari me 7 vite burg në Itali

Elbasan, 12 qershor 2025 – Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale operacioni policor i koduar “Operacionalja 47”, me ndalimin e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në Elbasan 50-vjeçari Zamir Halili, i cili ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për plagosje, dhunë në familje dhe marrëdhënie seksuale me dhunë. Sipas burimeve zyrtare, Gjykata e Sienas në Itali e ka dënuar Halilin që në vitin 2014 me 7 vite burgim, nga të cilat i kanë mbetur edhe rreth 6 vjet e 9 muaj për të vuajtur.

Kapja e tij u bë e mundur falë shkëmbimit të shpejtë të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, si dhe veprimeve të mirëkoordinuara të strukturave të posaçme të Policisë së Shtetit.

Aktualisht, Interpol Tirana po punon ngushtë me autoritetet italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit të Halilit në Itali.