Një ngjarje tragjike ka tronditur zonën e Gramshit këtë të hënë, pasi një mjet tip kamion që shërbente për transportin e personelit në fshatra ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një humnerë në aksin Kabash–Porocan, pranë fshatit Bardhan.
Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë humbur jetën në vend. Viktimat janë një mësuese dhe drejtuesi i mjetit, të cilët po kryenin detyrën në zonat rurale. Në automjet ndodhej edhe një infermiere, e cila ka mbetur e plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Sipas burimeve nga vendngjarja, mjeti dyshohet se ka humbur kontrollin për shkaqe ende të paqarta, duke përfunduar jashtë karrexhatës. Shërbimet e emergjencës, policia dhe zjarrfikësja kanë ndërhyrë për nxjerrjen e trupave dhe transportimin e të plagosurës.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa pritet edhe një komunikim zyrtar për dinamikën e ngjarjes.













