Kadastra Elbasan shfaq probleme me aplikimet online/ Qytetarët të shqetësuar

Aplikimet online për Kadastrën janë kthyer në problem për qytetarët e kryesisht për të moshuarit.

Javët e fundit problem është bërë edhe bllokimi i sistemit për qytetarët dhe noterët, gjë që ka shkaktuar pezullim të procesit të shit-blerjes së pronave të patundshme dhe vonesa të tejzgjatura. Të pyetur qytetarët shprehen se prej fillimit e kanë pasur të vështirë pasi duhet të qëndrojnë me ditë të tëra në pritje të marrjes së një dokumenti.
Ky problem prek më së shumti emigrantët të cilët kohën e qëndrimit e kanë të limituar dhe shpesh nuk arrijnë të përfundojnë procedurat për shkak të vonesave.
Qytetarët theksojnë papërgjegjshmërinë e punonjësve të Kadastrës.
“Kam tre vite që sorollatem sa në Tiranë, këtu në Elbasan, Prrenjas për një dokument. Vetëm të zvarrisin dhe nuk të zgjidhin punë”- shprehet një qytetar.
Problemi kryesor në lidhje me pensionistët është përdorimi i platformës online.
“Ne e kemi të vështirë t’i bëjmë procedurat online se s’dimë të përdorim kompjuterin dhe kështu është për të gjithë pensionistët”-thotë një tjetër qytetar.


Të pyetur noterët nuk pranojnë të prononcohen për kamerat, por jashtë tyre shprehen se prishja e sistemit ka sjellë vonesa të cilat janë kthyer në problem që ngadalëson procesin e punës së tyre. Disa nga problemet kryesore që listojnë ata janë ndërtimet që s’mund të regjistrohen, kontratat e porosive mes subjekteve dhe individëve, ndërsa në fshatra nuk ofrohet shërbimi i regjistrimit të tokave bujqësore.

Sipas tyre këto probleme do rëndojnë më së tepërmi në kurriz të qytetarëve e në vijim mund të diskutohet për rritje të çmimeve të shërbimeve.