Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë kostatuar se Arabia Saudite po prodhon raketat e veta balistike me ndihmën e Kinës, raporton CNN. Ky është një zhvillim që mund të ketë efekte të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe të komplikojë përpjekjet e administratës së Biden për të frenuar ambiciet bërthamore të Iranit, rivalit kryesor rajonal i sauditëve, përcjell abcnews.al.
Dihet se Arabia Saudite se ka blerë më parë raketa balistike nga Kina, por kurrë nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë të sajat. Imazhet satelitore të marra nga CNN sugjerojnë gjithashtu se Arabia Saudite po i prodhon këto armë të paktën në një vend.
Media amerikane raportojnë se edhe agjencitë e tjera amerikane kanë informacion mbi transferimin e teknologjisë për prodhimin e raketave balistike nga Kina për në Arabinë Saudite.
Irani dhe Arabia Saudite janë armiq të ashpër dhe nuk ka gjasa që Teherani të pranojë të ndalojë prodhimin e raketave balistike nëse Arabia Saudite ka filluar të prodhojë të vetat.
