Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve në Shqipëri ka organizuar një protestë për të denoncuar përjashtimin e vazhdueshëm të këtij komuniteti nga skemat e ndihmës sociale dhe shërbimet publike.
Përfaqësues të shoqatës deklaruan se prej më shumë se një dekade, personat e verbër në Shqipëri përballen me mungesën e thellë të mbështetjes institucionale, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
“Kjo mungesë ka çuar në përjashtimin e shumë personave të verbër nga mundësitë e barabarta për arsim, punësim dhe një jetë të pavarur”, thuhej në letrën drejtuar autoriteteve.
Presidenti i Shoqatës së të Verbërve, Jonid Ferhati, ngriti alarmin për situatën, duke theksuar se qytetarët e verbër që nuk janë të punësuar, shpesh mbeten jashtë çdo forme ndihme sociale familjare.
“Fatkeqësisht, që nga viti 2014 kur u ndërtua Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve, shërbimet që ishin ngritur me aq përpjekje, u ndërprenë. Mungesa e shërbimeve dhe asistencës na pengon të jetojmë me dinjitet dhe pavarësi,” u shpreh Ferhati.
Shoqata i kërkon qeverisë të rikthejë shërbimet publike të specializuara për këtë kategori, të rrisë asistencën sociale dhe të mbështesë integrimin e të verbërve në tregun e punës, të paktën me pagë minimale.
