LINDJE E MESME- Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë kundër Iranit të premten, duke thënë se kishte në shënjestër objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë dhe se ky ishte fillimi i një operacioni të zgjatur për të parandaluar Teheranin të ndërtojë një armë atomike. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh se Irani ishte një kërcënim për “vetë mbijetesën e Izraelit” pas sulmeve.
“Nëse nuk ndalet, Irani mund të prodhojë një armë bërthamore në një kohë shumë të shkurtër”, deklaroi ai.
Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke thënë se vendi pret kundërsulme në të ardhmen e afërt. Televizioni shtetëror iranian ka raportuar se zonat e banuara në Teheran u goditën dhe se midis të vrarëve kishte civilë, përfshirë fëmijë.
Mediat shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se u vra në një sulm ajror shefi i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, një degë e fuqishme e forcave të armatosura të vendit, si dhe shkencëtarë bërthamorë.
Irani ka akuzuar SHBA-në se mbështet sulmin e Izraelit, gjë të cilën SHBA-ja e mohon. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u shpreh për Fox News se ishte në dijeni të sulmeve paraprakisht, por theksoi se SHBA-ja nuk luajti asnjë rol.
