Itali: 21-vjeçari shqiptar dënim me 3 vite e 8 muaj burg për shantazh ndaj 14-vjeçarit

Mugello, Itali, 18 mars 2026 – Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg për shantazh dhe grabitje ndaj një të mituri 14-vjeçar në zonën e Mugello, raportojnë mediat italiane.

Sipas hetimeve, i riu për muaj me radhë ndalonte të miturin në rrugë dhe e kërcënonte për t’i marrë para, duke kërkuar shuma të vogla, nga disa monedha deri në 15 euro. Në total, gjatë muajve, ai dyshohet se mori rreth 200 euro.

Kërcënimet ishin të drejtpërdrejta: nëse nuk jepte para, do të rrihej dhe i ishte thënë se do ta ndjekin edhe në shtëpi. I trembur, 14-vjeçari nuk i kishte treguar prindërve deri në fund të prillit 2025, kur i riu i mori me forcë edhe portofolin.

Pas kësaj, prindërit ndërhynë, por u përballën me dhunë; babai i të miturit u sulmua me shkopinj dhe mbeti i lënduar, duke bërë kallëzim në polici.

Hetimet zbuluan edhe tre të rinj të tjerë, atëherë 16 dhe 17 vjeç, që tani janë nën hetim. I riu 21-vjeçar, i cili ndodhej në arrest shtëpie, mori dënimin për zhvatje, grabitje dhe plagosje.