Një 20-vjeçar shqiptar është plagosur nga të shtënat me armë zjarri të karabinierëve italianë, pasi tentoi të largohej me automjet gjatë një kontrolli policor. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në provincën e Pizës, sipas mediave italiane.
Ndërhyrja e forcave të rendit erdhi pas një telefonate nga një grua, e cila kërkoi ndihmë duke deklaruar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas denoncimit, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët kërkonin një shumë prej një mijë eurosh për kthimin e tij.
Me mbërritjen e patrullës, një nga personat e dyshuar ka përplasur me automjet një karabinier dhe më pas është larguar me shpejtësi të lartë. Forcat e rendit kanë nisur një ndjekje që ka zgjatur disa kilometra, nga Bientina deri në Montopoli.
Gjatë ndjekjes, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri, ku dy plumba kanë goditur 20-vjeçarin. I plagosuri është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve italiane, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e rëndë.













