Irani po përgatit një sulm të menjëhershëm me raketa balistike kundër Izraelit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se kanë marrë njoftime se Irani po përgatitet të nisë një sulm me raketa balistike kundër Izraelit menjëherë. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar Izraelin të përgjojë çdo gjë që Irani lëshon drejt tij, tha një zyrtar amerikan për CNN.

Këto përpjekje do të ishin të ngjashme me mënyrën se si SHBA ofroi ndihmën e saj në prill, kur Irani nisi një valë dronësh dhe raketash drejt Izraelit. Në atë sulm, Irani nisi një valë dronësh dhe raketash drejt Izraelit në hakmarrje për një sulm të dyshuar izraelit në një kompleks diplomatik iranian në Siri. Më shumë se 300 predha – duke përfshirë rreth 170 dronë dhe mbi 120 raketa balistike – u hodhën drejt Izraelit në sulmin e prillit, por “99%” e tyre u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit dhe “partnerët” e tij, sipas ushtrisë izraelite.

Media shtetërore e Iranit nuk ka njoftuar për ndonjë sulm të afërt. Zyrtarët iranianë nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për një koment. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha se ushtria është e gatshme të mbrohet dhe shtoi se Izraeli dhe aleatët e tij janë në një gjendje të lartë gatishmërie dhe çdo sulm nga Irani do të kishte pasoja. Disa orë para këtij njoftimi zoti Hagari tha se ushtria izraelite kishte filluar një operacion të pjesshëm tokësor në disa fshatra kufitare libaneze. Qëllimi i operacionit është të goditen zonat e kontrolluara nga grupi militant Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit. Grupi Hezbollah është shpallur si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.