Informacioni i fundit mbi zjarrin në Elbasan/Po zhvendoset materiali pjesë-pjesë, në terren janë 5 zjarrfikës

Të dhënat e fundit  në lidhje me situatën në zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e skrapit në Kurum ora 14.00:
Në terren vazhdon puna e mjeteve dhe forcave zjarrfikëse për normalizimin e situatës. Aktualisht janë dy vatra zjarri.

E para është në vendin ku nisi zjarri ditën e djeshme dhe zjarri ka forcë të madhe për shkak të materialit që digjet ku një pjesë e tij është kthyer në llavë, por edhe ka një sipërfaqe që digjet prej rreth 900 ose 1000 m2 dhe lartësia në disa vende shkon 4 deri 5m. Në këtë vatër po bëhet zhvendosja e materialit pjesë-pjesë duke e fikur me ujë dhe duke e larguar nga vatra.

E dyta është më e vogël, ka një sipërfaqe prej 100 m2 dhe lartësi deri 3m dhe është e kapsuluar me masë dheu. Zjarri është aktiv brenda por i jep mundësi forcave zjarrfikëse të punojnë në një kohë të dytë me të.
Po punohet me 5 mjete zjarrfikës, 2 autobote dhe 2 mjete zjarrfikës të Ministrisë së Mbrojtjes.