IGJEO jep alarmin: Sot pasdite dhe nesër rreziku për zjarre do të jetë edhe më i lartë! Këto janë 3 qarqet më të rrezikuara

Fieri, Lezha dhe Durrësi janë qarqet më të rrezikuara nga zjarret pasditen e së dielës dhe gjatë ditës së hënë.

Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave, i cili bën të ditur se rreziku më i lartë pritet në fillim të javës.

Sipas parashikimit të institutit, në këto tre qarqe niveli i rrezikut për zjarret në pyje do të jetë i lartë. Ndërkohë, për Shkodrën, Tiranën, Elbasanin, Beratin, Vlorën dhe Gjirokastrën parashikohet nivel i moderuar, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Korçë niveli i rrezikut pritet të jetë i ulët.

Instituti thekson se në disa zona të vendit rreziku do të jetë lokalisht i lartë, konkretisht në jug të Shkodrës, perëndim të Tiranës, perëndim të Elbasanit, perëndim të Beratit dhe veriperëndim të Vlorës.

Sa i përket motit, temperaturat maksimale të hënën pritet të arrijnë deri në 31 gradë Celsius në bregdet, 34 gradë në zonat e ulëta dhe 27 gradë në zonat malore. Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa herë pas here në zonat malore dhe bregdetare do të jetë e fortë.