Identifikohet personi që u sulmua me armë në Shkodër. Emri

Shkodër — Një konflikt i nisur për motive të parëndësishme është përshkallëzuar në një përleshje të dhunshme dhe të shtëna me armë mbrëmjen e së shtunës në aksin Shkodër–Koplik, konfirmon policia.

Rreth orës 19:30, Edison Tirana, 42 vjeç, banues në Bericë, është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër me dëmtime në kokë dhe trup, të dyshuara të shkaktuara nga goditje me sende të forta.

Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Koplikut, ku 42-vjeçari është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta. Sipas policisë, disa persona e kanë goditur me mjete të forta dhe gjatë përplasjes kanë qëlluar me armë drejt automjetit të tij në lëvizje. Plumbat nuk e kanë prekur drejtpërdrejt drejtuesin e mjetit.

Si pasojë e të shtënave, Tirana ka humbur kontrollin e makinës, duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës pranë një karburanti. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka shkuar vetë në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.