I riu qëllon babanë pas një konflikti familjar, arrestohet nga Policia

Fier, 19 maj 2025 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në fshatin Mbrostar Ura, ku një 23-vjeçar ka plagosur babanë e tij pas një konflikti brenda familjes. Autori i dyshuar, shtetasi me inicialet J. Z., është vënë menjëherë në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.

Sipas burimeve zyrtare, autori ka përdorur një armë të modifikuar, e përshtatur si armë sportive, me të cilën ka qëlluar babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, duke e plagosur në këmbë.

Fatmirësisht, 58-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka sekuestruar armën e përdorur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që ndaj 23-vjeçarit kanë nisur procedurat penale. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për hetime të mëtejshme.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi shkaqet e konfliktit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.