I riu punëtor bie nga lartësia në një objekt dhe humb jetën në vend

Lezhë, 16 tetor 2025 – Një aksident tragjik ka ndodhur këtë pasdite në zonën e Kunës në Shëngjin, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën pasi ra nga një ndërtesë në punim.

Rreth orës 16:30, 36-vjeçari A.Z., nga Pllana e Lezhës, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga hapësira ku ishte planifikuar të vendosej ashensori. Si pasojë e goditjes së rëndë, ai ka ndërruar jetë në vend.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë nxjerrë trupin e viktimës nga objekti në ndërtim. Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat dhe për të dokumentuar ngjarjen me prova ligjore.

Ende nuk dihet nëse në kantier janë respektuar masat e sigurisë në punë, ndërsa hetimet vijojnë.